
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp së bashku me drejtuesit e policisë dhe emergjencave, pas sulmit të rëndë të armatosur në Bondi Beach të Sydney-t, ku u vranë 16 persona dhe u plagosën 40 të tjerë, gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre për festën e Hanukkah.
Autoritetet e New South Wales konfirmuan se ngjarja është cilësuar zyrtarisht si akt terrorist antisemit. Mes viktimave është edhe një vajzë 10-vjeçare, ndërsa pesë persona të tjerë vijojnë të jenë në gjendje kritike për jetën.
Sipas policisë, autorët e sulmit ishin babë e bir, përkatësisht 50 dhe 24 vjeç. Babai u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa djali ndodhet në spital nën mbikëqyrje policore në gjendje kritike. Autoritetet përjashtuan mundësinë e një sulmuesi të tretë. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan disa armë zjarri, të cilat rezultonin të licencuara në emër të autorit 50-vjeçar.
Në deklaratën e tij, kryeministri Albanese e cilësoi sulmin si “një akt i pastër i së keqes”, duke theksuar se ishte një akt antisemit dhe terrorist që ka goditur një nga zonat më ikonike të vendit.
“Dje ishte një ditë e errët në historinë e kombit tonë, por Australia është më e fortë se frika, urrejtja dhe dhuna. Ne nuk do të lejojmë që ky akt të na ndajë”, deklaroi Albanese, duke njoftuar se flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjithë vendin në shenjë zie.
Edhe kryeministri i New South Wales, Chris Minns, bëri thirrje për një dënim të fortë dhe të qartë të antisemitizmit, duke theksuar se “nuk ka asnjë tolerancë për urrejtjen racore apo fetare në Australi”.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa autoritetet australiane kanë shtuar masat e sigurisë në mbarë vendin, veçanërisht rreth institucioneve dhe aktiviteteve të komunitetit hebre.






