
Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka komentuar protestat e fundit, duke paralajmëruar se shfaqjet me elementë antisemitikë mund të dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Në një intervistë për “Albania NewsCast”, diplomatja izraelite tha se protestat janë pjesë e demokracisë dhe një e drejtë e qytetarëve, por theksoi se duhet treguar kujdes kur ato shoqërohen me mesazhe kundër hebrenjve.
Sipas Peleg, toleranca, mikpritja dhe respekti mes komuniteteve janë ndër asetet më të rëndësishme të Shqipërisë, ndërsa kujtoi edhe historinë e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve.
“Nëse një izraelit apo hebre nuk ndihet i sigurt të vijë këtu, kjo dëmton imazhin e Shqipërisë, jo të Izraelit”, deklaroi ambasadorja.
Peleg theksoi megjithatë se bëhet fjalë vetëm për një grup të vogël njerëzish dhe se këto raste nuk përfaqësojnë qëndrimin e përgjithshëm të shqiptarëve.
“Është një grup shumë i vogël individësh”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se nuk ka dyshime për frymën miqësore dhe tolerante të popullit shqiptar.






