
Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar trevjetorin e sulmeve të 7 tetorit në Izrael, duke përcjellë një mesazh solidariteti me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.
Në një reagim në platformën X, Rama shkruan se për njerëzit që humbën familjarët dhe për ata që mbartin ende pasojat e asaj dite, 7 tetori nuk i përket vetëm së shkuarës.
“Kanë kaluar tre vjet nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilave u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata, jeta e të cilëve u copëtua, dhe për të mbijetuarit që mbartin plagë që asnjë sy nuk mund t’i shohë, ai mëngjes nuk ka përfunduar kurrë vërtet”, shkruan Rama.
Kryeministri kujton edhe vizitën e tij në Nova, vendin ku u zhvillua festivali muzikor që u sulmua më 7 tetor 2023.
“Ka vende ku heshtja flet më fort se fjalët, dhe Nova është një prej tyre”, shprehet Rama, duke kujtuar të rinjtë që ishin mbledhur aty për të festuar dhe që humbën jetën gjatë sulmit.
Në mesazhin e tij, Rama ndalet edhe te “Besa”, të cilën e përshkruan si një kod moral shqiptar dhe e lidh me historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit.
“Në orën më të errët të Europës, gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë për t’i shpëtuar nga Holokausti, duke rrezikuar gjithçka për të shpëtuar njerëz të dënuar me vdekje”, shkruan kryeministri.
Sipas Ramës, kjo trashëgimi kërkon sot që kujtesa të mos zbehet dhe që antisemitizmi të mos tolerohet.
Ai e mbyll mesazhin me një dedikim për familjet që vijojnë të mbajnë zi për të afërmit e humbur.
“Për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që sot mban zi: Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”, shkruan Rama.






