Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku disa protestues hoqën dhe grisën flamurin izraelit mes brohoritjeve të turmës.

Përmes një deklarate publike, Peleg theksoi se respekton të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre, por e cilësoi aktin ndaj flamurit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me traditën e shqiptarëve.

“Si ambasadore e një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një veprim i tillë jo vetëm që nuk e çon përpara protestën publike, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, deklaroi ambasadorja.

Diplomatja izraelite falënderoi gjithashtu ministrin e Jashtëm shqiptar, Fer Hoxha, për reagimin e menjëhershëm dhe dënimin publik të incidentit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në rrjetet sociale dhe në qarqet diplomatike, ndërsa autoritetet shqiptare kanë dënuar aktet që cenojnë simbolet shtetërore të vendeve mike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu