
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec dhe Nartë, duke deklaruar se shumë prej pjesëmarrësve besojnë sinqerisht se po mbrojnë natyrën dhe flamingot, por sipas tij po përdoren për interesa të tjera.
Në rubrikën “Shënimet e Javës”, Rama solli shembullin e personazhit Fabrice del Dongo nga romani i Stendalit, për të argumentuar se idealet mund të kthehen në iluzione kur nuk mbështeten mbi fakte. Sipas tij, në epokën e rrjeteve sociale, algoritmet shpesh favorizojnë emocione, zemërim dhe narrativa që nuk pasqyrojnë realitetin.
Kreu i qeverisë tha se mbrojtja e natyrës, zonave të mbrojtura, ndalimi i gjuetisë së paligjshme dhe mbrojtja e biodiversitetit kanë qenë prioritete të qeverisë së tij, ndaj pyeti retorikisht se nga kush po mbrohen flamingot dhe natyra.
Rama u bëri thirrje protestuesve të verifikojnë faktet dhe të mos bazohen vetëm te sloganet apo informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale. Ai argumentoi se disa qytetarë mendojnë se po mbrojnë flamingot, Zvërnecin dhe Shqipërinë, ndërsa në realitet, sipas tij, po bëhen pjesë e interesave që nuk lidhen me interesat e vendit.
Duke iu referuar debatit për Nartën, kryeministri deklaroi se flamingot nuk kanë nevojë për “turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit”, por për diskutime të bazuara në fakte dhe analiza konkrete.
Në fund, Rama tha se qeveria është e gatshme të diskutojë për projektin që po zhvillohet në Zvërnec dhe ta përmirësojë atë, por jo ta refuzojë përpara se të përfundojë procesi i hartimit dhe vlerësimit të tij.






