
Një grup protestuesish kanë vijuar qëndrimin përpara godinës së Kryeministrisë edhe gjatë natës, pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, e cila shënoi ditën e 21-të të mobilizimit qytetar kundër qeverisë.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” dhe marshimit drejt Kryeministrisë, një pjesë e protestuesve vendosën të mos largoheshin, duke qëndruar gjatë gjithë natës në bulevard. Ata deklaruan se do të vijojnë protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe kanë bërë thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë ligjin dhe të shmangin bllokimin e akseve rrugore, duke paralajmëruar se bllokimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” përbën shkelje të ligjit.
Në protestë morën pjesë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët iu bashkuan tubimit me flamuj dhe pankarta. Organizatorët mbajtën fjalime para Kryeministrisë dhe bënë thirrje për vijimin e qëndrimit në shesh.
Tubimi i së shtunës konsiderohet një nga protestat më të mëdha të javëve të fundit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.






