
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së mbrëmshme në Tiranë, duke dënuar me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit nga protestues të maskuar.
Përmes një deklarate zyrtare, ministria thekson se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përbëjnë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj.
“Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin. Ai nuk përfaqëson Shqipërinë dhe as popullin shqiptar”, thuhet në reagim.
Ministria nënvizon se ngjarje të tilla janë të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane që Shqipëria synon të forcojë, duke akuzuar autorët se po përpiqen të provokojnë dhe të përhapin përçarje e urrejtje.
Në deklaratë riafirmohet gjithashtu angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Ministria shprehu solidaritet me Ambasadën e Shtetit të Izraelit në Tiranë dhe theksoi se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.






