Dhjetëra banorë dhe emigrantë të ardhur nga Greqia protestuan këtë të shtunë në Gjirin e Kakomesë, ku shembën mure rrethuese, godinat e rojeve dhe telat që kufizonin hyrjen në zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj zvarritjes së procesit për njohjen e pronave.

Protestuesit, kryesisht nga fshati Nivicë dhe zona përreth, deklaruan se janë mbledhur në tokat që i konsiderojnë pronë të trashëguar nga të parët e tyre. Vetëm dy ditë më parë ishte hequr edhe porta kryesore në hyrje të gjirit.

Mes thirrjeve kundër asaj që e cilësuan si grabitje të pronave, banorët shprehën vendosmërinë për të mos lejuar, sipas tyre, zaptimin e tokave nga investitorë të favorizuar politikisht apo interesa të tjera private.

“Tokat e të parëve do t’i mbrojmë me gjak”, deklaruan protestuesit gjatë tubimit.

Banorët kujtuan se beteja për pronësinë në Gjiri i Kakomesë vijon prej vitit 2004 dhe është kthyer në një nga konfliktet më të gjata të pronësisë në jug të vendit. Sipas tyre, për më shumë se dy dekada kanë marrë premtime nga qeveri të ndryshme, por ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare.

Protestuesit pretendojnë se bëhet fjalë për rreth 29 mijë hektarë tokë, ndërsa paralajmëruan se aksionet dhe protestat do të vazhdojnë deri në njohjen e plotë të të drejtave të tyre mbi pronat që i konsiderojnë trashëgimi familjare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu