
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si një disfatë të rëndë politike për kreun e qeverisë.
Në një videomesazh, Berisha deklaroi se protesta e qytetarëve, të rinjve dhe diasporës, si edhe rrethimi i Kryeministrisë, përbëjnë sipas tij një moment historik, të cilin Rama po e përjeton si “Vaterlonë personale”.
“Edi Rama duket se protestën e gjysmë milioni shqiptarëve dhe rrethimin e ngjeshur të Kryeministrisë e ka përjetuar si Vaterlonë e tij”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin për kërcënime ndaj protestuesve dhe përdori referenca letrare për ta krahasuar me personazhin Tenardie të veprës së Viktor Hygosë, duke pretenduar se qeveria ka dëmtuar interesat e qytetarëve përmes korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Sipas Berishës, protesta dëshmoi pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë dhe ishte një sinjal i fortë politik kundër mazhorancës.
Në përfundim të reagimit të tij, lideri demokrat i bëri thirrje Ramës të largohet nga detyra dhe të përballet me drejtësinë.
“Largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron”, deklaroi Berisha.






