
Kryeministri ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke kritikuar mënyrën se si pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut u paraqitën si pjesë e “diasporës” shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur.
“Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe as shqiptarët e Kosovës”, shkroi kryeministri.
Rama kritikoi ashpër organizatorët dhe mbështetësit e protestës që, sipas tij, paraqitën qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si pjesë e diasporës që kishte ardhur për të rrëzuar qeverinë shqiptare.
Ai u shpreh se një qasje e tillë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon dhe krijon perceptime të gabuara për raportet mes shqiptarëve dhe shteteve ku ata jetojnë.
Kreu i qeverisë reagoi edhe për përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestës, duke e cilësuar këtë si një përdhosje të simbolit të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë”, shkroi Rama.
Në fund të reagimit, ai sqaroi se deklaratat e tij nuk lidhen me kryeministrin e Kosovës, , duke theksuar se nuk e konsideron atë përgjegjës për individët e përfshirë në protestë.
“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe”, përfundoi Rama.






