
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka theksuar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se ndryshimet e propozuara në Ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi” adresojnë realitete të reja që janë shfaqur pas vitit 2020, duke vendosur fokus të veçantë te viktimizimi, format e reja të diskriminimit dhe rrugët konkrete të ankimit për qytetarët.
Sipas Ballës, periudha 2020–2025 ka nxjerrë në pah forma diskriminimi për të cilat më parë as nuk ekzistonte vetëdije ligjore, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, shoqërore dhe të komunikimit. Për këtë arsye, ligji hyn në një “fazë të re zhvillimi”, të përafruar drejtpërdrejt me direktivat e Bashkimit Evropian, përfshirë standardet më të fundit për funksionimin dhe pavarësinë e organeve të barazisë.
Një nga risitë më të rëndësishme, sipas Ballës, është futja për herë të parë në ligj e konceptit të “shqetësimit” si formë diskriminimi. Ai theksoi se sjelljet e padëshiruara që cenojnë dinjitetin e individit ose krijojnë një mjedis frikësues, armiqësor apo poshtërues tashmë trajtohen qartë si diskriminim, pa lënë hapësira interpretimi.
Po aq thelbësor është edhe përkufizimi i qartë i viktimës së diskriminimit, një boshllëk që, sipas Ballës, ka ekzistuar edhe pas ndryshimeve të vitit 2020. “E kishim ligjin, por nuk i garantonte drejtpërdrejt mbrojtje ligjore viktimës”, u shpreh ai, duke theksuar se ndryshimet e reja sigurojnë mbrojtje reale për çdo person ose grup që pretendon të jetë subjekt i diskriminimit.
Ligji zgjeron ndjeshëm edhe rrethin e subjekteve të mbrojtura, duke përfshirë shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasit e huaj rezidentë, personat pa shtetësi (apatridët), si dhe subjektet fizike dhe juridike nën juridiksionin shqiptar. Balla nënvizoi se kjo shtrirje garanton mbrojtje të barabartë jo vetëm ndaj autoriteteve publike, por edhe në raport me sektorin privat dhe kompanitë.
Një tjetër pikë kyçe është ndalimi i plotë i viktimizimit, ku çdo trajtim më pak i favorshëm ndaj një personi për shkak të ankimit ose kundërshtimit të diskriminimit ndalohet shprehimisht me ligj. Autoritetet publike dhe subjektet private detyrohen të marrin masa të menjëhershme parandaluese dhe mbrojtëse.
Balla theksoi gjithashtu se ndryshimet i japin përgjigje një problemi madhor: mungesës së informacionit se ku dhe si të ankohen viktimat e diskriminimit. Përmes forcimit të rolit dhe pavarësisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe zgjerimit të kompetencave të tij për ndërhyrje dhe padi në interes publik, qytetarëve u ofrohen mekanizma më të qartë dhe efektivë ankimi.
Sipas Ballës, këto reforma e bëjnë kuadrin ligjor më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane, duke forcuar realisht mbrojtjen e viktimave dhe përgjegjshmërinë e institucioneve. Në përmbyllje, ai u bëri thirrje anëtarëve të komisionit dhe Kuvendit që t’i mbështesin ndryshimet pa dallime politike, si një hap i domosdoshëm kundër diskriminimit në format e tij të reja.





