
Organizatori i protestës studentore për mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, ka deklaruar se studentët mbeten të hapur për dialog me profesorë, ekspertë të fushës juridike dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë.
Ademi theksoi se kërkesa e studentëve nuk synon privilegje, por respektimin e parimit të barazisë dhe të drejtave themelore.
“Ne kërkojmë një zgjidhje të drejtë, të plotë dhe të qëndrueshme, që respekton ligjin, dinjitetin dhe parimin e barazisë”, deklaroi ai.
Sipas Ademit, nuk do të pranohen zgjidhje të pjesshme, kompromise diskriminuese apo masa të përkohshme që vetëm e shtyjnë problemin pa e zgjidhur atë.
Ai shtoi se çështja nuk lidhet vetëm me studentët aktualë, por edhe me brezat e ardhshëm që meritojnë institucione më të forta dhe një sistem ku të drejtat respektohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Kjo është përgjegjësi ndaj brezit të sotëm që kërkon shpresë dhe drejtësi, por edhe ndaj brezave që do të vijnë”, u shpreh Ademi.
Në fund të reagimit të tij, organizatori i protestës e përmblodhi mesazhin me tre fjalë: “Barazi. Dinjitet. Drejtësi.”






