
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë kanë rikthyer në qendër të debatit politik çështjen e presidentit dhe mundësinë e krijimit të institucioneve të reja.
Presidentja Vjosa Osmani reagoi pas deklaratave dhe debateve të ditëve të fundit, duke theksuar se emri i saj nuk do të bëhet pengesë për formimin e institucioneve.
“Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin”, deklaroi Osmani.
Reagimi i saj erdhi pasi disa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje u shprehën publikisht kundër mundësisë që ajo të marrë një mandat të dytë si presidente.
Ndërkohë, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, tha se partia e tij mbetet e hapur për bisedime politike dhe nuk vendos “vija të kuqe” për bashkëpunim.
“Asnjëherë gjatë rrugëtimit tim politik nuk kam vendosur vija të kuqe. Besoj që nuk është e mirë që të kemi vija të kuqe. Jemi gjithmonë të hapur për biseda”, deklaroi Hamza.
Sipas njohësve të politikës në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve mund ta çojnë vendin drejt negociatave të vështira për krijimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, ndërsa mungesa e një shumice të qartë rrezikon të zgjasë krizën institucionale.
Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues. Nëse edhe pas formimit të Kuvendit të ri nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja parlamentare.






