Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, institucionale dhe shoqërore. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së Partisë Popullore Europiane në Sarajevë, ku kërkoi krijimin e një qeverie kujdestare për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sipas Berishës, problemi më i madh i vendit mbetet mungesa e zgjedhjeve të lira, të cilat ai i cilësoi si një farsë të dokumentuar nga institucionet ndërkombëtare.

“Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Është në një dhomë urgjence. Po përballet me protesta që nuk janë parë më parë”, deklaroi Berisha.

Ai tha se lëvizja protestuese që po zhvillohet në vend nuk është vetëm e opozitës, por një lëvizje qytetare që, sipas tij, është bërë e pandalshme.

“Lëvizja është e pandalshme. Nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është një lëvizje qytetare shumë e fuqishme”, u shpreh kreu demokrat.

Berisha paralajmëroi se vendi ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile të krizës, duke shmangur çdo përplasje që mund ta kthejë Shqipërinë pas në kohë. Sipas tij, kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit dhe ngritja e një qeverie kujdestare që do të organizonte zgjedhje sipas standardeve demokratike.

Në fjalën e tij, lideri i opozitës u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke theksuar se pengesa kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet dobësia e shtetit të së drejtës.

Duke iu referuar situatës në Shqipëri, Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe ndikimin e trafikut të drogës në proceset zgjedhore.

Ai përmendi edhe protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se aty duhet të respektohen standardet europiane për mbrojtjen e natyrës dhe direktivat e Bashkimit Europian për habitatet dhe shpendët.

“Ne e mbështesim këtë lëvizje qytetare. Ajo duhet të përfundojë në mënyrë paqësore, duke zgjidhur krizën e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë”, përfundoi Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu