Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti turistik në Zvërnec, i mbështetur nga kompania e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht protestave që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe në zonën e Vjosë-Nartës.

Në një intervistë për agjencinë Reuters, Rama tha se projekti do të realizohet dhe se Shqipëria do të jetë krenare për kontributin që do të japë në zhvillimin turistik të Europës.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta bëjmë atë dhe do të jemi krenarë që do të kontribuojmë në Evropë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se është zgjedhur për të çuar përpara projekte zhvillimi dhe jo për t’u udhëhequr nga kundërshtime që, sipas tij, përfaqësojnë një vizion tjetër për të ardhmen e vendit.

Sipas Reuters, mijëra qytetarë kanë protestuar kundër projektit, duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, ku jetojnë flamingot, fokat dhe specie të tjera të mbrojtura. Flamingoja është kthyer në simbolin e protestave, me demonstruesit që mbajnë pankarta dhe objekte rozë me sloganin “Revolucioni i Flamingove”.

Rama minimizoi shqetësimet për dëmtimin e mjedisit, duke deklaruar se Shqipëria ka treguar angazhim të fortë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe se çdo zhvillim do të respektojë standardet e nevojshme.

“Jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për jetën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vullnetin tonë për të mbrojtur natyrën dhe speciet e mbrojtura”, tha ai.

Kreu i qeverisë pranoi se vendosja e gardhit me tela me gjemba në zonën e projektit ishte një “ide e turpshme”, por shtoi se incidenti nuk ndryshon drejtimin e projektit.

Rama zbuloi gjithashtu se vlera e investimeve të lidhura me Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë projektin në Zvërnec dhe atë në ishullin e Sazanit, mund të arrijë deri në 5 miliardë euro.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë përballen me polemika”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, disa pjesë të resortit mund të hapen për publikun para fundit të kësaj dekade.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu