
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur mëngjesin e së hënës në aksin Vlorë-Orikum, në zonën e Radhimës.
Sipas Policisë së Vlorës, rreth orës 07:00, automjeti i drejtuar nga shtetasi V. R., 32 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi F. K., rreth 35 vjeç, si dhe me një automjet të tretë me drejtues shtetasin A. M., 31 vjeç.
Përplasja ka qenë e fortë dhe menjëherë pas saj të tre automjetet janë përfshirë nga flakët.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit F. K., i cili nuk ka mundur të shpëtojë nga mjeti i përfshirë nga zjarri.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre pasagjerë të huaj që udhëtonin në automjetin e drejtuar nga A. M. Ata janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia bëri me dije se dy drejtuesit e mjeteve, V. R. dhe A. M., janë shoqëruar në komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkaqet e aksidentit fatal.






