
Një incident i rëndë është regjistruar në sallën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku disa të pandehur janë përfshirë në një përplasje fizike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për vrasjen e Renis Dobrës.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka shpërthyer brenda kafazit të xhamtë ku ndodheshin të pandehurit, pasi vëllezërit Bushgjokaj dyshohet se kanë sulmuar fizikisht Petrit Hoxhën, i njohur ndryshe si Petrit Çakri.
Burimet bëjnë me dije se shkak i përplasjes kanë qenë akuzat që vëllezërit Bushgjokaj i kanë adresuar Çakrit, duke e konsideruar atë përgjegjës për deklarime që sipas tyre i kanë dëmtuar në procesin hetimor.
Gjatë incidentit janë dëgjuar thirrje si “Spiun! Ke shpifur”, ndërsa situata ka degraduar në dhunë fizike.
Petrit Çakri raportohet se është goditur me grushte dhe është përplasur pas murit të kafazit të sigurisë, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e forcave të rendit ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Si pasojë e përplasjes, janë lënduar edhe tre efektivë të togës së shoqërimit të të burgosurve, të cilët ndërhynë për të ndarë të pandehurit dhe për të rikthyer rendin në sallën e gjyqit.
Për disa minuta seanca u shoqërua me tension dhe kaos, ndërsa autoritetet po dokumentojnë rrethanat e incidentit dhe pritet të marrin masa shtesë sigurie ndaj personave të përfshirë.
Ngjarja ndodhi gjatë procesit gjyqësor që lidhet me dosjen e vrasjes së Renis Dobrës, një çështje që po ndiqet me interes të lartë nga drejtësia dhe opinioni publik.






