
Kombëtarja shqiptare e futbollit është mposhtur 0-1 nga Izraeli në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, duke i dhënë trajnerit të ri Rolando Maran një debutim pa sukses në stolin kuqezi.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 73-të nga Gloukh, i cili përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë dhe mposhti portierin Alen Sherri me një goditje diagonale.
Menjëherë pas golit, futbollisti izraelit provokoi tribunat duke bërë me shenjë për heshtje dhe duke treguar stemën e fanellës. Reagimi i Elseid Hysajt solli përplasje mes lojtarëve në fushë, ndërsa arbitri ndëshkoi me karton të verdhë të dy protagonistët. Nga tribunat u dëgjuan thirrje “Palestinë, Palestinë”.
Shqipëria pati rastet e saj për të kaluar në avantazh. Mundësinë më të pastër e humbi Anis Mehmeti në minutën e 10-të, ndërsa Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Armando Broja provuan disa herë portën kundërshtare pa sukses.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë iu afruan golit edhe me një devijim të mbrojtjes izraelite që përfundoi në shtyllë pas një krosimi të Hoxhës.
Portieri Alen Sherri ishte ndër më të mirët në fushë për Shqipërinë, duke shmangur disa herë golin e dytë me pritje vendimtare.
Ndeshja u zhvillua në prani të një numri të kufizuar tifozësh, ndërsa para sfidës himni i Izraelit u shoqërua me fërshëllima nga një pjesë e publikut. Për shkak të masave të larta të sigurisë, kontrollet në hyrje të stadiumit ishin më të forta se zakonisht.
Pas humbjes ndaj Izraelit, Shqipëria do të zhvillojë më 6 qershor miqësoren e radhës ndaj Luksemburgut, sërish në “Air Albania”.



