
Një tragjedi e rëndë ka goditur pasditen e kësaj të mërkure bregdetin e Shëngjinit, ku dy të rinj nga Kosova kanë humbur jetën pasi u morën nga dallgët e forta të detit në zonën e Ranës së Hedhun.
Viktimat janë identifikuar si Leonid Alia nga Fushë Kosova dhe Jetmir Çopa nga Prishtina. Ata ndodheshin në plazh së bashku me persona të tjerë, kur për shkak të erës së fortë dhe dallgëve të mëdha u gjendën në vështirësi në ujë.
Sipas Policisë, rreth orës 16:30 është marrë njoftimi se disa persona që kishin hyrë në det për t’u larë rrezikonin të mbyteshin. Menjëherë në zonë janë nisur shërbimet e Policisë Kufitare, efektivët e Policisë së Lezhës dhe ekipet e emergjencës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të disa qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me forcat e policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.
Megjithatë, sipas mjekëve, Leonid Alia dhe Jetmir Çopa nuk arritën t’u mbijetonin pasojave të mbytjes dhe ndërruan jetë. Ndërkohë, tre persona të tjerë vijojnë të marrin ndihmë mjekësore.
Autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa tragjedia ka tronditur familjarët e viktimave dhe pushuesit e pranishëm në zonë.



