
Kryeministri Edi Rama reagoi sërish ndaj protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar në rrjetet sociale dy projekte të realizuara nga investitorët që do të zhvillojnë investimin në zonën e mbrojtur.
Në postimin e tij, Rama mbrojti investitorët nga Katari dhe bashkëpunimin e tyre me kompaninë Power Holding, duke theksuar se blerja e truallit është kryer përmes transaksioneve bankare të certifikuara nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Sipas kreut të qeverisë, kundërshtimi ndaj projektit po ushqehet nga “armiq të Shqipërisë Europiane”, konkurrentë të turizmit shqiptar dhe nga ajo që ai e cilësoi si luftë hibride në rrjetet sociale.
“Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane”, shkroi Rama, duke shtuar se një pjesë e qytetarëve janë manipuluar përmes dezinformimit.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të njihen me aktivitetin e investitorëve dhe me projektet që ata kanë realizuar më parë, duke argumentuar se zhvillimi i propozuar për Zvërnecin do të jetë në harmoni me natyrën.
Në fund të reagimit, Rama ironizoi protestuesit duke kujtuar debatet që shoqëruan ndërtimin e Stadiumit Kombëtar, ndërsa shtoi me ironi: “Ah po, edhe duke bërtitur ‘Rama IK’, se harrova”.



