Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 51 mandate në Kuvendin e Kosovës, pas numërimit të rreth 20% të votave me postë nga diaspora.

Partia në pushtet ka siguruar mbi 69% të votave të numëruara deri tani nga diaspora, duke fituar mandatin e tretë shtesë krahas 48 ulëseve që kishte siguruar nga rezultati preliminar i votimit brenda Kosovës.

Dy mandatet e para shtesë u morën në kurriz të Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa mandati i fundit i ka kushtuar një ulëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka zbritur nga 8 në 7 deputetë.

Sipas projeksioneve aktuale, nëse trendi i votimit nga diaspora vazhdon me të njëjtin ritëm, Vetëvendosje mund të sigurojë edhe një mandat tjetër shtesë.

Në rezultatet e përgjithshme, VV kryeson me 44.6% të votave, e ndjekur nga PDK me 20.5%, LDK me 17.26%, ndërsa AAK renditet pak nën 7%.

Sipas të dhënave të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, janë tërhequr rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora, ndërsa deri tani janë procesuar të dhënat e rreth 11 mijë votave.

Për formimin e qeverisë nevojiten të paktën 61 deputetë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja në votim e të paktën 80 deputetëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu