
Një grua indiane, Jivunben Rabari, e cila besohet të jetë rreth 70 vjeçe, ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë falë një procedure të rrallë fertilizimi in vitro (IVF), duke tërhequr vëmendjen e mjekëve dhe mediave në mbarë botën.
Sipas raportimeve, gruaja lindi një djalë në shtetin Gujarat, në perëndim të Indisë. Rasti është cilësuar si tepër i pazakontë, pasi Rabari dhe bashkëshorti i saj kishin dekada që përpiqeshin të bëheshin prindër, por pa sukses.
Mjeku që ndoqi procesin deklaroi se trajtimi ishte shumë i ndërlikuar për shkak të moshës së avancuar të pacientes, duke e quajtur rezultatet “një rast që rrallë shihet në praktikën mjekësore”. Edhe pse gruaja nuk disponon dokumente zyrtare identifikimi, ekipi mjekësor njoftoi se ajo vetë deklaroi se ishte rreth 70 vjeçe.
Pas procedurës së suksesshme IVF dhe monitorimit të vazhdueshëm nga mjekët, Rabari solli në jetë një djalë, duke përjetuar kështu atë që ajo e quajti “ëndrrën e jetës”.
Lajmi ka shkaktuar debat në Indi dhe më gjerë, duke rikthyer diskutimet mbi rrezikshmërinë e shtatzënive në moshë shumë të thyer, por njëkohësisht ka sjellë edhe reagime mbështetëse për çiftin që realizoi dëshirën e tyre pas shumë vitesh pritje./oranews







