Ndërsa Kombëtarja shqiptare përgatitet për sfidën vendimtare ndaj Andorrës, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka publikuar një video nga Andorra, ku shihet i rrethuar nga tifozë shqiptarë që kanë shkuar në shtetin e vogël në Pirenej, për të mbështetur kuqezinjtë.

Në video, Balla përshëndet me humor dhe emocion:

“Përshëndetje të gjithëve nga Andorra. Jemi me çunat e Pukës, të Istogut dhe edhe një nga Librazhdi. Një fitore sonte… edhe një humbje Serbisë në Londër, se e kemi të ndërlidhur, apo jo?”

Nga shitja e biletave duket se tifozët shqiptarë kanë “pushtuar” Andorrën e vogël me rreth 90 mijë banorë përpara sfidës së orës 20:45.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, të gjitha biletat e vëna në dispozicion për tifozët shqiptarë janë shitur, ndërsa mijëra shqiptarë kanë blerë bileta edhe në sektorët e tifozëve vendas, duke e kthyer stadiumin “FAF” në një mini-Shqipëri.

5 108 tifozë pritet të jenë në stadium mbrëmjen e sotme për të krijuar një atmosferë të zjarrtë në këtë ndeshje vendimtare për kuqezinjtë që aktualisht renditen të dytët në Grupin K me 11 pikë, një pikë më shumë se Serbia.

Kombinimi që përmend Balla në video – fitore e Shqipërisë + humbje e Serbisë ndaj Anglisë në Londër – do ta dërgonte Kombëtaren drejtpërdrejt në fazën play-off për Botërorin 2026.

Sfida e tanishme konsiderohet thelbësore jo vetëm për pikët, por për motivimin para duelit të madh me Anglinë në “Air Albania” më 16 nëntor.

Sonte, Shqipëria kërkon 3 pikë të arta dhe një dhuratë nga Londra. Ndërsa nga Andorra, thirrja është e njëzëshme:

“Forca Shqipëria!”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu