Komisioni i Ligjeve miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2026. Nëntë deputetë votuan pro, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

“Projektbuxheti është ngjarja më e rëndësishme për veprimtarinë e një komisioni të përhershëm në kuvend”, tha kreu i komisionit, Ulsi Manja.

Më herët, komisioni dëgjoi ministrin e Financave, Petrit Malaj, i cili raportoi pikërisht në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2026.

Ai tha se qeveria ka katër fokuse kryesore në këtë projektbuxhet.

“Të rrisim nivelin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale për qytetarët tanë; Të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme; Të sigurojmë konsolidimin fiskal; Si dhe të përshpejtojmë procesin e integrimit evropian”, tha ai.

Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një nivel total shpenzimesh prej 886.7 miliardë lekësh. Malaj tha se vëmendja dhe kryefjala është rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve digjitale, por edhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor.

Sipas ministrit, shtylla themelore e këtij buxheti është reforma e pensioneve.

Malaj theksoi se buxheti përfshin rritje të investimeve publike, si dhe vazhdimin e reformës në administratën publike. Prioritet mbeten arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e pabarazive. Ministri deklaroi se deficiti buxhetor do të ruhet në nivele të qëndrueshme, ndërsa borxhi publik pritet të ulet më tej. Malaj shtoi se politikat fiskale do të vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit.

/tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu