Policia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me pretendimet e kandidatit të subjektit “Shqipëria Bëhet”, Oligert Hima, se pranë gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe nga verifikimet e kryera nuk janë konstatuar shtetas në afërsi të gjimnazit “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut.
Gjithashtu, nuk është evidentuar prania e personave të paautorizuar të grumbulluar jashtë qendrave të votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.
Kujtojmë që kandidati i subjektit “Shqipëria Bëhet”, Oligert Hima, ka denoncuar se, sipas tij, janë vërejtur parregullsi në qendrat e votimit në Bashkinë e Cërrikut.
Në një deklaratë për mediat, Hima u shpreh se ka konstatuar praninë e personave që, sipas tij, intimidojnë votuesit, dhe kërkoi ndërhyrjen e autoriteteve për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.
“Duhet të largohen të gjithë personat që qëndrojnë përballë qendrave të votimit dhe nuk kanë asnjë lidhje me to. I bëj thirrje Policisë të marrë të gjitha masat që të lejojë që vota të jetë e lirë dhe jo me nderë apo favore që iu janë bërë nga drejtorët dhe çdo punonjës i administratës. Kam bërë një xhiro sot nëpër QV dhe në çdo hyrje kam konstatuar persona që nuk kanë asnjë lloj funksioni, por që qëndrojnë aty dhe intimidojnë votuesit,” tha Hima.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan thotë se mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që lidhet me këtë proces./Tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu