Ka ndërruar jetë punëtori 66-vjeçar, Octay Stroici, i cili qëndroi i bllokuar për rreth 11 orë nën rrënojat e Torre dei Conti në Romë, pas dy shembjeve të njëpasnjëshme brenda kantierit të restaurimit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të shpëtimit dhe masazhit kardiak në ambulancë, ai nuk mundi të mbijetonte.

Sipas autoriteteve, shembja fillestare u regjistrua rreth orës 11:30, duke prekur një seksion të ndërtuar në vitet ’30, ndërsa rreth orës 13 ndodhi shembja e dytë që përfshiu një pjesë të brendshme të strukturës. Nga 9 punëtorët që ndodheshin në kantier, katër u përfshinë drejtpërdrejt në ngjarje. Tre u shpëtuan menjëherë, ndërsa Stroici mbeti i ngujuar nën materialet inerte të shembjes së dytë.

Prokuroria e Romës ka hapur hetimet dhe ka izoluar zonën. Sipas autoriteteve të zjarrfikësve, operacioni i shpëtimit u zhvillua në kushte kujdesi ekstrem për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të shembjeve të tjera.

Torre dei Conti, një monument historik mesjetar i ndërtuar mbi rrënojat e Tempullit të Paqes romake, është aktualisht në proces restaurimi me një investim prej 6.9 milionë eurosh. Punimet e nisura në qershor 2025 kishin si synim konsolidimin, restaurimin dhe shndërrimin e strukturës në hapësirë muzeale dhe qendër shërbimesh për zonën arkeologjike të Fori Imperiali.

Hetimet pritet të zbulojnë nëse shembjet ndodhën për shkak të problemeve strukturore të lëna pas viteve të tëra të braktisjes, apo për shkak të punimeve. Autoritetet kanë bërë të ditur se para nisjes së ndërhyrjeve ishin kryer prova dhe verifikime inxhinierike për sigurinë e strukturës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu