Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur ditën e sotme për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Më herët gjatë ditës, në ambientet e SPAK-ut është paraqitur Pamela Qirko, motra e Ballukut, e cila do të jetë edhe avokatja e saj mbrojtëse.

Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja Klodiana Lala për News24, në bazë të fletëthirrjes së dërguar në adresë të numrit dy të qeverisë, Balluku duhet të paraqitet në SPAK në orën 15:00, ku pritet t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.

SPAK po heton zv/kryeministren për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me projektet e Llogarasë, ku më herët janë arrestuar disa vartës të saj, mes tyre ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza, si dhe ish-zyrtarë të tjerë.

Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut, pasi herën e parë ajo nuk u paraqit për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit./ BalkanWeb

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu