
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot mazhorancën se ka mohuar në mënyrë “antikushtetuese” të drejtën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e njeh këtë si një të drejtë të pakontestueshme të pakicës.
“Pseudo-mazhoranca në mënyrën më antikushtetuese i mohoi opozitës të drejtën më themelore kushtetuese që ka në parlament — Komisionin Hetimor parlamentar. Këtë akt e kreu pas një beteje të gjatë dhe pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e garanton këtë të drejtë”, tha Berisha.
Sipas tij, opozita kishte kërkuar ngritjen e dy komisioneve hetimore — një për skandalin “McGonigal” dhe një për hetimin e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i cilësoi si “më të damkosurat në Europë”.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se është përfshirë personalisht në skandalin me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se “emri i Ramës përmendet 13 herë në dosjen amerikane”.
“Edi Rama citohet se i ka dhënë McGonigalit përmes një oficeri të policisë sekrete 220 mijë dollarë, ka diskutuar me të për reformën në drejtësi dhe ka ndërhyrë në licenca kompanish ku kishte interesa,” deklaroi Berisha.
“Dosja fakton se Edi Rama i dha paratë McGonigalit për t’u marrë me opozitën dhe për veprime kundër saj,” shtoi ai.
Kreu i PD-së theksoi se opozita kërkonte hetim të plotë për këto çështje, si dhe për shkeljet zgjedhore të konstatuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
“Ligji shqiptar dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira janë dhunuar me qindra e mijëra herë. Ne disponojmë mijëra fakte që dëshironim t’i paraqisnim përmes një Komisioni Hetimor,” u shpreh Berisha.
Në përfundim të deklaratës, ai paralajmëroi se opozita do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm politikë, duke theksuar se përballë një parlamenti që “bllokon hapësirën e opozitës”, vendimin do ta japin qytetarët.
“Nëse ne nuk kemi të drejtën e mbikëqyrjes, ky është kulmi. Në këto kushte, unë besoj se qytetarët do të jenë ata që do thonë fjalën e tyre,” përfundoi Berisha.
 
            
 
	