
Futbolli brazilian po kalon një nga periudhat më të errëta të historisë së tij, dhe në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi një histori që është bërë virale: “mallkimi i maces”.
Gjithçka nisi gjatë Kupës së Botës “Katar 2022”, kur një anëtar i stafit teknik të Brazilit hodhi me forcë një mace nga tavolina gjatë një konference për shtyp. Prej asaj dite, duket sikur fati i keq nuk i ndahet më “Seleçaos”.
Pas atij episodi, rezultatet e Brazilit kanë qenë zhgënjyese:
Humbje ndaj Uruguait për herë të parë pas 22 vitesh.
Dëmtim i rëndë i Neymar, që e ka mbajtur jashtë fushës për gati dy vite.
Humbje historike ndaj Kolumbisë në kualifikime.
Fund i serisë së gjatë pa humbje në shtëpi pas disfatës me Argjentinën.
Tre humbje radhazi në kualifikime – një tjetër precedent i ri negativ.
Humbja e parë në historinë e kualifikimeve në tokën braziliane.
Katër gola të pësuar në një ndeshje kualifikuese, për herë të parë.
Mbyllja e kualifikimeve në vendin e pestë, shumë larg pritshmërive.
Tifozët tashmë flasin për “mallkimin e maces”, një shaka që është kthyer në simbol të krizës së ekipit më të titulluar në botë.