
Një aksident i rëndë ka tronditur kryeqytetin portugez Lisbonë, ku të paktën 17 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 20 të tjerë janë plagosur, pas daljes nga shinat të tramvajit historik “Gloria”, një nga atraksionet më të njohura turistike të qytetit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:15, kur një nga kabinat e linjës së njohur të transportit urban humbi kontrollin dhe u përplas me një ndërtesë në zonën qendrore të qytetit. Sipas dëshmitarëve, tramvaji zbriti me shpejtësi të lartë “pa frena” dhe u shemb si një “kuti kartoni” pasi goditi me forcë.
Viktimat dhe të plagosurit
Autoritetet konfirmuan se mes të plagosurve ka shtetas portugezë, gjermanë, spanjollë, koreanë, kanadezë, italianë, francezë, zviceranë, marokenë dhe nga Kepi i Gjelbër. Mes tyre është edhe një fëmijë 3-vjeçar që fatmirësisht i shpëtoi aksidentit me lëndime të lehta.
Nga viktimat e konfirmuara deri tani, bëhet fjalë për 7 burra dhe 8 gra, ndërsa pritet identifikimi i plotë nga autoritetet.
Një nga viktimat është raportuar të jetë André Jorge Gonçalves Marques, punonjës i kompanisë Carris, që shërbente si frenues në teleferik.
Hetimet
Policia dhe Prokuroria Portugeze kanë hapur një hetim të plotë për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Dyshohet se një kabllo që mbante sistemin e kundërpeshës është shkëputur, duke bërë që mjeti të humbasë kontrollin.
“Gloria”, i cili daton prej vitit 1885, transporton mbi 3 milionë pasagjerë çdo vit dhe konsiderohet një nga simbolet më të mëdha turistike të Lisbonës.
Reagimet
Kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, shpalli ditë zie kombëtare, ndërsa anuloi aktivitetet zyrtare. “Është një ditë tragjike për qytetin tonë, për vendin tonë,” deklaroi ai.
Edhe kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moedas, tha se qyteti është në zi, duke e quajtur aksidentin “një moment tragjik dhe të dhimbshëm për të gjithë lisbonasit”.