
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk do të hapë parlamentin aktual, të cilin e konsideron si “parlament i partisë-shtet”, pasi sipas tij nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Berisha si deputeti me i vjeter theksoi se çdo koalicion duhet të bazohet mbi rekordet elektorale, duke shtuar se një parlament jo legjitim nuk mund të hapet kurrë, dhe se hapja e tij do të ishte një antishërbim për vendin.
Ai përmendi gjithashtu rekomandimin e Këshillit të Europës, sipas të cilit në Shqipëri duhet të ndahen partia nga shteti, duke theksuar se kjo frazë tregon qartë se parlamenti aktual nuk mund të konsiderohet legjitim.
Berisha nuk ka zhvilluar bisedime me asnjë parti tjetër për koalicion, duke i lënë të hapura kritikat për situatën politike dhe udhëheqësit aktualë.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të rezistuar narkodiktaturës dhe për t’u ripërtërirë dhe riorganizuar.
Berisha theksoi se në diktaturën e parë ideologjia marksiste-leniniste ishte forca lëvizëse, ndërsa sot, sipas tij, forca misterioze që lëviz shoqërinë shqiptare është droga. Ai përmendi rastin e Suel Çelës dhe Çopjes, që sipas tij, kanë qarkulluar 28 tonelata kokainë në një vit dhe mbështesin pushtetin aktual, duke emëruar ministrat, gjykatësit, drejtorët e policisë dhe deputetët.
Berisha theksoi se fenomeni i drogës sot është po aq ndikues sa ideologjia dikur, duke kontrolluar pushtetin dhe penguar interesat e qytetarëve.