
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka vlerësuar publikisht kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një nga udhëheqësit më të shquar në botë dhe një mik të palëkundur të Izraelit.
Pas takimit të zhvilluar në Tiranë, kryediplomati izraelit publikoi një mesazh në rrjetin social X, ku vlerësoi rolin ndërkombëtar të Ramës dhe qëndrimet e tij për sigurinë e Izraelit.
“Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më të vlerësuar në botë sot”, shkroi Sa’ar.
Ministri izraelit e përshkroi kryeministrin shqiptar si një zë të qartë dhe të guximshëm në arenën ndërkombëtare, duke theksuar mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Izraelit në periudha të vështira.
“Ai është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare. Është gjithashtu një mik i palëkundur i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë edhe në kohë sfiduese”, u shpreh Sa’ar.
Sipas tij, Izraeli vlerëson veçanërisht angazhimin e Ramës për sigurinë e shtetit izraelit, si dhe qëndrimin e tij kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
Gjatë takimit, dy zyrtarët diskutuan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, situatën në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
“Ishte një bisedë e thelluar për avancimin e marrëdhënieve mes vendeve tona, si dhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tënde të vërtetë dhe për miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin”, përfundoi ministri izraelit.
Takimi me kryeministrin Rama u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të Gideon Sa’ar në Shqipëri, gjatë së cilës u nënshkrua edhe një marrëveshje e re bashkëpunimi ndërqeveritar mes dy vendeve.






