Nga Simon Hadaj

Politika shqiptare është e mbushur me vese dhe marrëzi, ndaj nuk kishte nevojë t’i shtohej edhe Adriatik Lapaj. Ai e nisi si frymë e re dhe e mbylli si pamundësi për të qenë ndryshe dhe i paaftë për të dalë nga rrethi vicioz i egos së vet.

Humbja e tij nuk lidhet vetëm me rezultatin e Kolegjit Zgjedhor, ku një ditë më parë u rrëzua përfundimisht pretendimi për mandatin e deputetit. Ajo ka nisur më herët, gjatë gjithë fushatës, ku Lapaj dha shenjat e para të arrogancës, prepotencës dhe delirantit, duke e ngatërruar besimin në vetvete me përçmimin e të tjerëve. Pas zgjedhjeve, kjo sjellje u thellua edhe më tej, në një betejë të shëmtuar për mandatin e deputetit, e cila u shndërrua në një teatër me akuza, shpifje dhe viktimizim.

Por kulmi erdhi me deklaratën e tij të fundit, ku Lapaj pohoi se i ishte ofruar të bëhej pjesë e pushtetit, se disa përfaqësues të qeverisë i kishin trokitur në derë për të krijuar një tablo “demokratike”, ku pushteti bashkëpunon edhe me forcat e reja opozitare dhe se ai, sipas tij, e kishte refuzuar.

Nëse kjo është e vërtetë, na bën të mendojmë se e gjithë kjo betejë për mandatin e tij nuk ishte për të vërtetën dhe të drejtën, por një mundësi për të bërë pazare me pushtetin. Ndërsa, nga ana tjetër, pyetja reduktohet edhe në një pragmatizëm më të rëndomtë: pse pushtetit do t’i duhej një mandat më shumë kur tashmë i ka me tepri? Çfarë vlere kishte Lapaj, përveçse si një figurë e shitur si “e reja” e politikës që nxiton menjëherë për t’u futur në krahët e pushtetit?

Në këtë pikë, sjellja e Lapajt është shembulli më i keq i asaj çfarë pritej nga një figurë e re politike, mirëpo me të gjitha këto ai tregoi se e ashtuquajtura “e re” mund të jetë më e vjetër se e vjetra.

Adriatik Lapaj nuk humbi vetëm shansin që iu dha, por edhe nderin politik dhe moral, sepse e gjithë sjellja e tij para, gjatë dhe pas kësaj fushate tregoi se ai nuk e menaxhon dot as egon as veten, duke e bërë thjesht atë një ndër të shumtët, pa asnjë ndryshim./Tema

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu