Shqipëria renditet mes tre vendeve më të pakënaqura në Europë për gjendjen financiare, krahas Bullgarisë dhe Turqisë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Në vitin 2022, shqiptarët e vlerësuan gjendjen e tyre financiare me 4.8 pikë në një shkallë nga 0 deri në 10, duke treguar se më shumë janë të pakënaqur sesa të kënaqur. Bullgarët dhanë 4.6 pikë dhe turqit 4.7.

Ndërkohë, niveli më i lartë i kënaqësisë financiare u regjistrua në Holandë dhe Finlandë (7.6), Suedi (7.4) dhe Austri (7.3).

Mesatarja e BE-së për vitin 2022 ishte 6.6, pak më e ulët se kënaqësia e përgjithshme me jetën, që u vlerësua me 7.1.

Nga viti 2013 deri në 2022, kënaqësia financiare u rrit në shumicën e vendeve të BE-së, me rritjet më të mëdha në Portugali (+1.4), Irlandë, Qipro dhe Slloveni. Përjashtim bënë Danimarka, Luksemburgu dhe Suedia, ku ra, si dhe Franca e Finlanda, ku mbeti e pandryshuar.

Raporti thekson se lidhja midis nivelit të të ardhurave dhe kënaqësisë financiare është e theksuar. Në Greqi, të ardhurat më të larta garantonin dyfish kënaqësie krahasuar me më të ulëtat, ndërsa në Bullgari dhe Kroaci diferenca ishte 75%. Boshllëqet më të vogla u regjistruan në Maltë, Itali dhe Finlandë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu