
Një ndjekje spektakolare ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, ku dy persona në një automjet luksoz tip “Audi Q8” nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtuesi i mjetit vijoi me shpejtësi marramendëse, duke përplasur tre automjete të tjera gjatë tentativës për t’u larguar. Pas ndjekjes, të dy personat braktisën automjetin në rrugën “Moskat” dhe, duke u përpjekur të zhdukin gjurmët, hodhën në rrugë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua nga forcat e rendit.
Forcat e Posaçme “Shqiponja” bënë të mundur kapjen e njërit prej tyre, shtetasit S. S., 29 vjeç. Gjatë kontrollit fizik, këtij të fundit iu gjetën një krehër arme dhe municion luftarak.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Policia po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Grupi hetimor është në terren për të dokumentuar të plotë ngjarjen, si dhe për të përcaktuar nëse të dy personat janë të përfshirë në veprimtari kriminale.