
Për miliarderët, nuk është vetëm luksi – është një domosdoshmëri. Ja pse avioni privat është kthyer në simbolin absolut të jetës së elitës globale.
Miliarderët njihen për stilin e jetës së tyre të pakrahasueshëm – që nga veprat e artit të rralla, te jahtet luksoze me kinema dhe SPA, e deri te koncertet private me yje botërore. Por përtej gjithçkaje që pasuria mund të blejë, çfarë konsiderojnë ata si luksin më të domosdoshëm?
Për ta zbuluar këtë, revista prestigjioze Forbes zhvilloi një sondazh me disa nga njerëzit më të pasur në botë. Nga 40 miliarderë që iu përgjigjën pyetjes “Cili është luks që nuk mund të jetoni pa të?”, përgjigja më e zakonshme ishte: avioni privat – me 12 të tillë që e konsideruan të pazëvendësueshëm.
Pse pikërisht avioni privat?
Për shumë miliarderë, avioni privat nuk është vetëm një shenjë statusi, por një mjet pune thelbësor. Duke shmangur pritjet në aeroport, vonesat dhe rrugët e kufizuara të linjave komerciale, ata kursejnë kohë të çmuar dhe rrisin efikasitetin.
“Ne kemi shumë biznese në qytete të ndryshme dhe do të ishte e pamundur të menaxhonim gjithçka pa avion privat,” shprehet David Hoffmann, një miliarder amerikan me interesa në transport luksoz dhe pasuri të paluajtshme.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Samir Mane, miliarderi i parë shqiptar dhe themelues i grupit Balfin, i cili thekson:
“E bleva avionin tim sepse nuk kemi lidhje të mira ajrore me shumë nga vendet ku operojmë. Fluturimi nga Tirana në Sarajevë më merr vetëm 20 minuta me avion privat, por më shumë se një ditë nëse fluturoj me linjat komerciale. Po të isha në Londër, Frankfurt apo Vjenë, nuk do ta kisha pasur nevojën.”
Jo gjithmonë luksoz – por gjithmonë i nevojshëm
Sipas ekspertëve të industrisë, shumë prej këtyre avionëve nuk janë aspak ekstravagantë. “Shumica e tyre janë avionë të vegjël dhe shumë herë jo aq komod sa njerëzit mendojnë,” thotë Hugh Chatham, drejtues shitjesh në CFS Jets. “Ata i përdorin sepse ju kursejnë kohë dhe para në biznes.”
Disa miliarderë, si Larry Connor, janë të qartë: “Nuk është luks – është një mjet biznesi.” Katër prej të anketuarve deklaruan se avioni i tyre ishte blerja më e shtrenjtë që kanë bërë ndonjëherë.
Nga 1 deri në 350 milionë dollarë
Çmimet e avionëve privatë ndryshojnë në mënyrë drastike. Një avion i përdorur mund të kushtojë që nga 1 milion dollarë, ndërsa modelet më luksoze si Bombardier Global 7500 arrijnë deri në 75-80 milionë dollarë. Vëllezërit miliarderë Lorenzo dhe Frank Fertitta zotërojnë nga një të tillë, secili me vlerë rreth 55 milionë dollarë.
Në rastet më ekstreme, disa miliarderë zotërojnë edhe avionë komercialë të konvertuar në përdorim privat, siç është rasti i oligarkëve rusë Roman Abramovich dhe Alisher Usmanov – avionët e të cilëve janë sanksionuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Abramovich bleu një Boeing 787-8 Dreamliner me vlerë mbi 350 milionë dollarë, ndërsa Usmanov zotëron një Airbus A340-300 që kushton deri në 500 milionë dollarë.
Privatësia, një luks më vete
Përveç komoditetit dhe kohës, miliarderët vlerësojnë edhe privatësinë që ofron fluturimi privat. Me shfaqjen e aplikacioneve si FlightAware që gjurmojnë çdo fluturim në kohë reale, shumë prej tyre përdorin struktura ligjore komplekse dhe kompani guackë për të fshehur pronësinë e avionëve të tyre.
Nëse nuk preferojnë të zotërojnë një avion, disa zgjedhin pronësinë e pjesshme – duke blerë një pjesë të avionit dhe duke e përdorur për një numër të caktuar orësh në vit. Të tjerë zgjedhin modele abonimi që u japin akses në një flotë avionësh për një periudhë të caktuar.
Edhe Samir Mane e ka ndjekur këtë rrugë kohët e fundit:
“Në vitin 2021 bleva një Citation XLS+ të përdorur për 10.8 milionë dollarë. E shita javën e kaluar për 11.8 milionë. Por nuk mund të rri pa fluturim privat – tani përdor shërbimet e Vista dhe NetJets.”
Në fund të ditës, çfarë kërkojnë më shumë miliarderët? Jo luks për sy e faqe, por kontrolli mbi kohën e tyre. Dhe për ta, avioni privat është çelësi i suksesit. /Përshtatur për AIA.AL nga një artikull i Forbes, qershor 2025.