
Tiranë, 11 qershor 2025 – Shqipëria ka marrë sot dritën jeshile nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4, që përfshin “Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme”, duke shënuar një tjetër moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit.
Kryeministri Edi Rama e përshëndeti vendimin me entuziazëm, duke deklaruar se “Shqipëria nuk ndalet” dhe se ky është një tjetër hap i rëndësishëm në drejtim të objektivit strategjik: anëtarësimi në BE deri në vitin 2030.
Grupkapitulli 4 përfshin katër kapituj të rëndësishëm të legjislacionit europian:
- Politikat e transportit (Kapitulli 14),
- Energjia (Kapitulli 15),
- Rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21),
- Mjedisi dhe ndryshimet klimatike (Kapitulli 27).
“Hapja e këtyre kapitujve konfirmon progresin konkret të Shqipërisë dhe gatishmërinë tonë për të përqafuar standardet më të larta të BE-së në fusha strategjike si energjia, mjedisi, transporti dhe qëndrueshmëria,” u shpreh Rama në një reagim zyrtar në rrjetet sociale.
Kryeministri e konsideroi vendimin një hap të rëndësishëm drejt Shqipërisë së vitit 2030 – një vend anëtar i denjë i familjes europiane.