
Në vend që të reflektonte pas kritikave të socialistëve në Kuvend, Sali Berisha vendosi të kthejë gjithçka në një shfaqje… teatrale. Të hënën para mediave, ish-kryeministri shpërtheu me akuza, metafora, e një “librari dixhitale” duke marrë si objektiv kryesor Elisa Spiropalin.
Gjithçka nisi pas kritikave që iu drejtuan nga vetë mazhoranca. U shprehën me tone të forta kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ministri i shtetit, Taulant Balla, duke e akuzuar Berishën për gjuhë denigruese dhe antikombëtare në Bruksel. Ata veçanërisht u ndalën te përdorimi i termit “narkoshtet”, që Berisha, siç duket, e sheh si diagnozë zyrtare.
“A ka reflektim?” – e pyetën gazetarët sot?
Berisha përgjigjet: “Është vetëm fillimi. Këta kriminelë elektoralë do ta paguajnë! Ata që u bënë shqiptarëve. Edhe ata dy janë eksponentë madhorë… të krimit… elektoral… dhe joelektoral.”
Më pas, konferenca mori kthesë komike.
“Prisni pak… Prisni pak! Kjo është nga libraria ime dixhitale,” deklaroi ai, teksa nxori një video që, sipas tij, “zbulonte Metamorfozën e vërtetë” – një transformim misterioz që përfshinte Spiropalin, të cilën e quajti “Spirogjoka”, në një sekuencë që s’kuptohej nëse ishte metaforë, parodi apo ndonjë skenar i mbetur pa u xhiruar nga “Portokallia”.
“Ju lutem, a e keni dëgjuar dosjen Metamorfoza? I kushtohet Pëllumb Gjokës. Por Pëllumbesha Spirogjoka? Asnjë fjalë!”, vazhdoi ai.
View this post on Instagram
Kësaj radhe, metaforat nuk kursyen as natyrën:
“Pse t’i biesh në qafë Pëllumbit dhe të mos i biesh Pëllumbeshës?”
“Pse t’i thuash Metamorfozë Pëllumbit dhe jo Pëllumbeshës?”
Pastaj vjen momenti “video”:
“Është kjo apo jo videoja më klasike e Metamorfozës?” – pyeti, duke u përpjekur t’ua jepte gazetarëve.
“U bë Spiropali, u bë Spirogjoka! Ja ku është ilustrimi më i përsosur i metamorfozës!”
Sikur të mos mjaftonte kjo, paralajmëroi se do të sjellë edhe “Metamorfozën e Lubisë”. Sipas tij, Spiropali dhe të tjerat janë tashmë në garë – jo për të qeverisur, por për të sulmuar sa më fort Berishën, që të fitojnë pikë në “pozicion”.
Në fund, mbeti pyetja: A ishte kjo një përgjigje politike apo një episod i improvizuar i një monologu personal?
Çfarëdo që të ishte, për publikun, ishte një shfaqje që i la të gjithë pa fjalë… veç Berishës, i cili kishte përgatitur edhe një sequel.