
Procesi i votimit nga diaspora ka nisur zyrtarisht këtë të martë, me qytetarin e parë që ka marrë fletën e votimit në orën 07:15 të mëngjesit. Drejtuesi Politik i Diasporës në Partinë Socialiste, Taulant Balla ndan lajmin e mirë se votuesi i parë që e mori zarfin nga KQZ është me banim në Erlangen të Gjermanisë dhe është regjistruar për të votuar në qarkun e Dibrës.
“Ne e mbajtëm fjalën. Vota jote në këto zgjedhje është historike për ta bërë Shqipërinë tonë anëtare të Bashkimit Europian,” u shpreh Balla në një postim në rrjetet sociale.
Në të njëjtin postim, Balla u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, duke votuar numrin 5 në fletën e votimit.
“VOTO 5 në fletën e votimit, me dashuri për Shqipërinë dhe vendosmëri për ta vendosur flamurin kuqezi në oborrin e Bashkimit Europian.” shkruan Balla.
Rreth 246 mijë shqiptarë jashtë vendit u regjistruan nga janari deri në fillim të muajit mars për të votuar më 11 maj, për herë të parë në historinë e demokracisë dhe zgjedhjeve pluraliste.