Presidenti amerikan Joe Biden tha të dielën se kishte falur djalin e tij, Hunter Biden, i cili ishte dënuar për deklarata të rreme, posedim të paligjshëm të një arme zjarri dhe evazion fiskal.
“Sot kam nënshkruar një falje për djalin tim Hunter. Që nga dita kur kam marrë detyrën, kam thënë se nuk do të ndërhyj në vendimmarrjen e Departamentit të Drejtësisë dhe e mbajta fjalën time edhe pse e kam parë djalin tim padrejtësisht të ndjekur penalisht”, tha ai në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë kishte thënë në mënyrë të përsëritur se Biden nuk do ta falte apo ia lehtësonte dënimin djalit të tij, një toksiko-dependent që po shërohej, dhe i cili u bë objektiv i republikanëve, përfshirë presidentin e sapozgjedhur Donald Trump.
“Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet e Hunterit nuk mund të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveçse që ai u veçua vetëm sepse ai është djali im,” tha Biden.
Në shtator Hunter Biden u deklarua fajtor për akuzat federale mbi mospagimin e 1.4 milionë dollarëve taksa, ndërsa ishte treguar dorëlëshuar për drogë, punonjëse seksi dhe sende luksi.
“Kam pranuar dhe kam marrë përgjegjësinë për gabimet e mia gjatë ditëve më të errëta të varësisë sime – gabime që janë shfrytëzuar për të poshtëruar dhe turpëruar publikisht mua dhe familjen time për sport politik”, tha Hunter Biden në një deklaratë të dielën, duke shtuar se ai kishte mbetur esëll për më shumë se pesë vjet.
“Në grahmat e varësisë, kam humbur shumë mundësi dhe avantazhe… Unë kurrë nuk do ta marr si të mirëqenë mirësinë që më është bërë sot dhe do t’ia kushtoj jetën që kam rindërtuar ndihmës së atyre që janë ende të sëmurë dhe vuajnë.”
Presidenti, djali tjetër i të cilit Beau vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2015 , tha se kundërshtarët e tij kishin kërkuar të thyejnë Hunterin me ndjekje penale selektive.
Ai tha se raste të tjera si ky, kurrë nuk u çuan në gjyq për mënyrën se si ata plotësuan një formular për armë apo vonesa në pagesën e taksave për shkak të varësisë, por i paguanin ato me interes dhe gjoba, duke mos u trajtuar penalisht siç ndodhi me Hunter Biden.
“Është e qartë se Hunter u trajtua ndryshe. Akuzat në rastet e tij erdhën vetëm pasi disa nga kundërshtarët e mi politikë në Kongres i nxitën ata të më sulmonin dhe të kundërshtonin zgjedhjen time,” tha Biden. “Në përpjekjen për të thyer Hunterin, ata janë përpjekur të më thyejnë mua – dhe nuk ka asnjë arsye për të besuar se do të ndalet këtu. Mjaft është mjaft.”
Biden tha se ai e kishte marrë vendimin gjatë fundjavës. Presidenti, gruaja e tij, Jill Biden, dhe familja e tyre, përfshirë Hunterin, kaluan festën e Falenderimeve në Nantucket, Massachusetts dhe u kthyen në Uashington të shtunën mbrëma.
Gjatë një shëtitjeje nëpër dyqanet e Nantucket të premten pasdite, një mbështetës i bërtiti presidentit nga matanë rrugës për të falur djalin e tij.
“Këtu është e vërteta: unë besoj në sistemin e drejtësisë, por ndërsa jam përballur me këtë, besoj gjithashtu se politika e ka infektuar këtë proces dhe ka çuar në një dështim të drejtësisë – dhe sapo mora këtë vendim këtë fundjavë, nuk kishte asnjë kuptim ta shtyjmë më tej”, tha Biden.
“Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë pse një baba dhe një president do të merrnin këtë vendim!”./reuters