Një vatër me murtajën afrikane është bërë publike sot në Malin e Rrencit në Lezhë ashtu siç kishte denoncuar dy ditë parë kreu i shoqatës së veterinerëve, Ervin Resuli, i cili akuzoi Ministrinë e Bujqësisë se po e fshihte këtë fakt. Dhe kjo nuk është hera e parë. E njëjta gjë ndodhi edhe me vatrën e gripit të shpendëve në Kashar.
Sëmundja kësaj radhe është shfaqur tek derrat dhe sipas informacioneve të paktën 10 krerë kanë ngordhur, prej të cilëve pesë brenda një ferme dhe pesë të tjerë përgjatë masivit pyjor të kësaj zone.
Për ketë arsye zona është vendosur në karantinë, ndërsa po kryhen verifikime në të gjithë zonën. Shërbimi veterinar nuk ka pranuar të komentojë, ndërsa i gjithë personeli është në punë ditën e sotme dhe po vazhdon analizimin e situatës.
Sëmundja e Murtajës Afrikane të derrave (ASF), shkaktohet nga një virusi i familjes Asfaviridae dhe është shumë ngjitëse. Sëmundja prek derrat shtëpiak dhe ata të egër, ku shkalla e vdekshmërisë mund të arrijë deri në 100%.
Virusi i kësaj sëmundje është shumë rezistent në mjedis, që do të thotë se mund të mbijetojë në rroba, çizme, rrota dhe materiale të tjera dhe mund të mbijetojë edhe në produkte të ndryshme të derrit dhe nënprodukte.
Është parë që virusi i ASF mbijeton në mish, mish i grirë dhe të brendshme 105 ditë, mish i kripur 182 ditë, mish i thatë, lëkurë yndyrë 300 ditë, mish i ngrirë 1000 ditë dhe inaktivizohet në mishin e zier (30 minuta në 70 gradë). Mbijetesa e virusit në produktet e mishit, është faktori potencial për transmentimin e Murtajës Afrikane të derrave.