Të tjera detaje zbardhen nga ngjarja në Dibër, ku disa persona, pjesa më e madhe fëmijë janë paraqitur në spital me simptoma helmimi.
Nga informacionet e marra nga Drejtoria Rajonale Spitalore Dibër dhe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Dibër që ditën e djeshme, në urgjencën e spitalit janë paraqitur raste të shtuara me simptoma gastro-enterite, ku pacientët kanë marre shërbimin spitalor dhe janë kthyer në banesa.
Me marrjen e këtij njoftimi Prefekti ka marre kontakt me strukturat e spitalit, NJVKSH, Drejtorinë rajonale të Ujësjellësit dhe Bashkinë Dibër. Pacientët kanë marrë serume ditore dhe janë kthyer në banesa.
6 persona (5 fëmije dhe 1 i rritur) janë shtruar në spital. NJVKSH gjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme ka marrë analizat fiziko-kimike në të gjithë depot e fshatrave dhe parametrat kanë dalë në normalitet.
Analizat bakteriologjike janë dërguar në ISHP dhe pritet që brenda 24 orësh të kemi përgjigjet.
Ndërkohë mjekët e familjes dhe strukturat e bashkisë kanë informuar qytetarët për përdorimin e ujit me kujdes deri në raportin përfundimtar nga strukturat përkatëse./Oranews