Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka reaguar pas valës së kritikave që shkaktoi deklarata e saj, ku tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Megjithatë, ministrja nuk u kërkoi falje shqiptarëve të Kosovës për deklaratën e saj, por vetëm presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, deklaroi Paunoviç në një intervistë për Informer TV.

Ajo pretendoi se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe ishte nxjerrë jashtë kontekstit.

“Nga një intervistë njëorëshe janë shkëputur vetëm shtatë sekonda. Ajo që kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë politike. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, u shpreh ministrja.

Paunoviç komentoi edhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta shpallur person të padëshiruar dhe për t’i ndaluar hyrjen në territorin e vendit, duke e cilësuar këtë masë si paradoksale.

Sipas saj, prej tre vitesh nuk i lejohet hyrja në Kosovë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu