Kërkesat e reja të protestuesve, të shpallura në ditën e 23-të të tubimit para Kryeministrisë, kanë sjellë reagime të menjëhershme nga mazhoranca. Kryeministri Edi Rama dhe ministri Taulant Balla i kanë interpretuar zhvillimet e fundit si provë të pretendimeve të tyre për ndikime të jashtme në protestë.

Pas publikimit të pesë kërkesave kryesore nga grupi koordinues i protestës, të lexuara nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, Rama reagoi në rrjetet sociale me një postim ironik. Kryeministri iu referua deklaratave të mëparshme të pjesës së protestuesve që kishin mohuar çdo lidhje me Iranin, duke shkruar se “dy fitimtarë do të dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove”, ndërsa shtoi se Partia Socialiste do të dalë më e fortë dhe qeverisja do të përmirësohet në funksion të objektivit “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”.

Edhe ministri Taulant Balla e cilësoi daljen e Dritan Goxhajt si momentin kur “skenari u zbardh plotësisht”. Sipas Ballës, Goxhaj është një person që prej kohësh ka mbrojtur regjimin iranian dhe ka sulmuar SHBA-në, Izraelin dhe Shqipërinë. Ministri deklaroi se është e papranueshme që një ish-pjesëtar i UÇK-së të mbrojë, sipas tij, interesat e Iranit kundër aleatëve strategjikë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Reagimet vijnë pasi organizatorët e protestës shpallën pesë kërkesa që përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, shfuqizimin e disa ligjeve të kundërshtuara nga protestuesit, si dhe hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu