
Pas 23 ditësh protestë para Kryeministrisë, grupi koordinues i lëvizjes publikoi për herë të parë një platformë të strukturuar me pesë kërkesa, duke e kthyer protestën nga një reagim kundër projektit në Zvërnec në një lëvizje me objektiva të qarta politike dhe institucionale.
Deklarata u lexua nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili tha se kërkesat janë hartuar pas konsultimeve dhe propozimeve të marra nga qytetarët gjatë 22 ditëve të protestës. Kërkesa e parë mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë, ndërsa kërkohet gjithashtu ngritja e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat njëvjeçar.
Protestuesit kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat sipas tyre duhet të miratohen përmes referendumit popullor. Në deklaratë përfshihet kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike, si dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe financimin e partive politike.
Organizatorët ritheksuan se nuk heqin dorë nga kërkesat fillestare që lidhen me anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paktit të Maleve dhe statusit të investimeve strategjike. Ata propozojnë gjithashtu hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, në bashkëpunim me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë.
Ndërkohë, para Kryeministrisë protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe duke deklaruar se do të vazhdojnë protestën deri në realizimin e kërkesave të tyre.






