Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nis të mërkurën turin e saj në Ballkan, me Tiranën si ndalesën e parë.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Von der Leyen do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Sipas axhendës së publikuar, në orën 17:30 është parashikuar edhe një konferencë e përbashkët mes Ramës dhe presidentes së Komisionit Europian.

Vizita vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e zgjerimit. Von der Leyen sjell një plan për hartimin e një udhërrëfyesi të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, me synimin për t’i ndihmuar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Plani parashikon reforma prioritare, afate orientuese dhe objektiva për përfundimin e fazave të negociatave. Në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për avancimin e procesit, ndërsa vendimet kyçe vazhdojnë të kërkojnë miratimin unanim.

Më 1 tetor, Von der Leyen do të vijojë vizitat në Kosovë dhe Malin e Zi, ndërsa turi do të përmbyllet të premten në Maqedoninë e Veriut. Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë përfshirë në itinerar, sipas materialit, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto dy vende.

Në sfond është edhe diskutimi brenda BE-së për një model të integrimit gradual të vendeve kandidate. Më 6 tetor pritet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, ndërsa më 15 dhe 16 tetor liderët europianë pritet të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu