
Krimineli serb i luftës Ratko Mlladiç, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, ka vdekur në moshën 84-vjeçare në njësinë e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.
Mlladiç ishte komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995 dhe një nga përgjegjësit kryesorë për mizoritë që lanë dhjetëra mijëra viktima.
Forcat nën komandën e tij mbajtën Sarajevën të rrethuar për afro katër vjet. Më shumë se 10 mijë civilë u vranë nga bombardimet dhe snajperët gjatë një prej rrethimeve më të gjata dhe më të përgjakshme në historinë moderne.
Emri i tij mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me gjenocidin e Srebrenicës. Në korrik të vitit 1995, rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht, në masakrën më të rëndë të kryer në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Pas luftës, Mlladiç iu shmang drejtësisë për 16 vjet, duke u fshehur në Serbi. Ai u arrestua në vitin 2011 në fshatin Lazarevo dhe u ekstradua në Hagë.
Në vitin 2017, drejtësia ndërkombëtare e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli i tij përfundimtar u rrëzua në vitin 2021.
Mlladiç vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, por emri i tij mbetet simbol i politikës së spastrimit etnik, terrorit ndaj civilëve dhe gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë. Vdekja e tij nuk mbyll plagët e familjeve që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve, drejtësi dhe pranimin e plotë të krimeve të kryera.






