
Përplasja mes Donald Trump dhe Taylor Swift ka marrë një tjetër kthesë. Disa këngë të yllit amerikan të muzikës janë hequr nga videot e publikuara në rrjetet sociale nga llogaritë e presidentit amerikan dhe Shtëpisë së Bardhë.
Sipas The Guardian, një video e publikuar më 3 gusht në TikTok, ku Donald dhe Melania Trump shfaqeshin duke parë fishekzjarre, shoqërohej me këngën “August” të Swift. Në përshkrimin e videos shkruhej me ironi se këngëtarja “me siguri do të ishte shumë e lumtur” që ishte përdorur kënga e saj.
Një tjetër postim i ekipit të Trump ironizonte albumin “Red” të vitit 2012, duke e lidhur ngjyrën e titullit me Partinë Republikane. Të dyja videot tashmë rezultojnë pa muzikën e Taylor Swift.
Nuk është hera e parë që administrata Trump përdor këngë të artistëve të njohur në videot e saj politike. Ariana Grande, Katy Perry, Sabrina Carpenter, Olivia Rodrigo dhe Kenny Loggins kanë kundërshtuar publikisht përdorimin e muzikës së tyre në materiale të lidhura me Trump ose administratën e tij.
Taylor Swift, megjithatë, nuk ka reaguar publikisht për rastin e fundit. Marrëdhëniet mes saj dhe Trump kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Swift mbështeti Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa Trump reagoi atëherë me sulme të drejtpërdrejta ndaj këngëtares.






