Bilanci i tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën është rënduar edhe më tej. Autoritetet njoftuan se numri i viktimave ka arritur në 1.430, ndërsa 3.238 persona kanë mbetur të plagosur, teksa ekipet e shpëtimit vijojnë garën me kohën për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

Sipas kreut të Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, kjo është fatkeqësia natyrore më e rëndë që ka përjetuar Venezuela në 123 vitet e fundit. Mijëra banesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda, ndërsa mijëra familje janë strehuar në qendra emergjence.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen kryesisht në shtetin La Guaira, zona më e goditur nga dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që ranë me më pak se një minutë diferencë. Shpresat për të gjetur të mbijetuar mbeten të hapura, por ekspertët paralajmërojnë se po mbyllet dritarja kritike 72-orëshe, kur mundësitë për të shpëtuar njerëz të bllokuar nën rrënoja bien ndjeshëm.

Në ndihmë të Venezuelës kanë mbërritur mbi 1.600 efektivë ndërkombëtarë të kërkim-shpëtimit nga dhjetëra vende, së bashku me qen të specializuar, pajisje të rënda dhe ndihma humanitare. Megjithatë, banorët në zonat më të prekura vijojnë të ankohen për mungesën e mjeteve dhe ritmin e ngadaltë të operacioneve të shpëtimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu