
Për të 28-ën ditë radhazi, protestuesit u mblodhën mbrëmjen e së shtunës para Kryeministrisë në Tiranë, duke përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike 12-mujore dhe shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan në drejtim të godinës së qeverisë me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Një nga zhvillimet kryesore të protestës ishte pjesëmarrja e eurodeputetes italiane Ilaria Salis, e cila mbërriti në Tiranë pas një takimi me kreun e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, dhe deputetin Redi Muçi. Në fjalën e saj, Salis deklaroi se Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore nuk duhet të shndërrohen në objekt privatizimi.
“Shqipëria nuk është në shitje, Evropa nuk është në shitje. Të drejtat e njerëzve dhe të natyrës duhet të jenë mbi paranë, imperializmin, kolonializmin dhe pushtetin e të pasurve. Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës duhet të mbeten pasuri për të gjithë dhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh eurodeputetja.
Organizatorët ritheksuan kërkesat e protestës, ku përfshihen dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike, kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate, shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe ndryshime të tjera ligjore.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se kërkesat janë dorëzuar edhe pranë përfaqësive diplomatike dhe se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e tyre.
Gjatë tubimit, një pjesë e protestuesve kërkuan ndërhyrjen e SPAK për hetimin e zyrtarëve të lartë. Një protestues bëri thirrje që të hetohen kryeministri Edi Rama, ministrat dhe gjithashtu kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në protestë pati edhe deklarata me gjuhë të ashpër. Një qytetare kërkoi arrestimin e kryeministrit Rama, ndërsa përdori edhe thirrje që nxisnin dhunë ndaj tij.
Një tjetër moment ishte përdorimi i inteligjencës artificiale për të krijuar një video satirike me figurën e ministres Diella, e cila u projektua në muret e Kryeministrisë, duke ironizuar qeverinë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit pas çështjes së Zvërnecit.
Protestuesit vendosën gjithashtu në hyrje të Kryeministrisë një “mur të skandaleve”, ku afishuan fletë me çështje që ata ia atribuojnë qeverisë, si koncesioni i check-up-it, shembja e Teatrit Kombëtar, dosja “Tahiri”, vrasja e Klodian Rashës dhe çështje të tjera.
Pas rreth dy orësh fjalime, protesta vijoi me një marshim në rrugët e kryeqytetit. Gjatë kalimit në zonën e ish-Bllokut, protestuesit u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkoheshin. Fjalën e mori edhe një turist britanik, i cili tha se protestat nuk e kanë trembur të vizitojë Shqipërinë, ndërsa një emigrante shqiptare nga Franca iu drejtua në gjuhën frënge presidentit Emmanuel Macron.
Në orët e vona të mbrëmjes protestës iu bashkua edhe ish-deputeti Ervin Salianji, i cili deklaroi se “frika është shembur” dhe se asnjë makineri pushteti nuk mund të ndalë ndryshimin.
Pamjet me dron të publikuara në përfundim të marshimit treguan se numri i pjesëmarrësve ishte më i ulët në momentin kur protestuesit u rikthyen sërish para Kryeministrisë.






